Ejani te gjithe
  Shëndetësia
 


Pagjumësia, përse shkaktohet

     
Psikologët thonë se gjumi i zgjatur në mëngjes tregon shmangie nga përgjegjësitë. Gjumi i tepër, në një farë mënyre, është shmangie nga realiteti që një individ, dashur padashur, bie pre e gjumit të gjatë.

Psikologët vërtetojnë këtë gjë, duke pohuar se “gjumi i mëngjesit, në disa raste te disa persona, është një lloj tendence për të shmangur një aktivitet që nuk të jep kënaqësi. Ndërsa, në disa momente të veçanta personi pret të përballet me diçka të pakëndshme. Kjo bën që të shtohet kohëzgjatja e gjumit”. Ndërkohë, fjetja me orare të zgjatura nuk bën mirë për psikologjinë e njeriut. Pasi ky person që fle shumë do të jetë i plogësht gjatë gjithë ditës dhe nuk do të ndihet mirë nga ana fizike.

Për gjithë ditën do të ndihet i lodhur dhe paksa i lënë pas dore nga njerëzit që i rrinë afër. Mjekët nuk e këshillojnë gjumin e tepërt, që do të thotë shtatë orë gjumë në ditë. Në këtë hark kohor, kushdo mund të pushojë dhe të gjejë qetësinë, qoftë mendore apo trupore.

Psikologët e ilustrojnë gjumin e tepërt me moshat shkollore, të cilët nuk shkojnë orët e para në mësim. Kjo do të thotë se të rinjtë mundohen t’i shmangin përgjegjësitë e tyre. Ky veprim vihet re më tepër tek ata të rinj, që nuk kanë rezultate të mira në mësime. Këta fëmijë kanë frikë të përballen me mësuesin apo me një orë mësimi, ku nuk janë të përgatitur. Kurse tek njerëzit, që kanë një familje dhe kanë një punë, detyrat janë më të mëdha dhe te këta ndodh shumë rrallë ky fenomen.

Nga ana tjetër, edhe gjumi i pakët nuk është i këshillueshëm dhe sjell probleme te çdo individ, që fle shumë më pak se shtatë orë që këshillojnë mjekët. Theksohet se “pagjumësia ka të bëjë me një lloj ankthi, kur individi mendon se nuk mund të përmbushë detyrat që e presin. Megjithëse, arsyet në këtë rast janë të shumëllojshme”. Pagjumësia është “vrasëse” për individin, sepse dikush që nuk e përmbush orarin e fjetjes, do të mendojë gjatë gjithë kohës për shumë gjëra të pakëndshme, të cilat do t’i sjellin shqetësime dhe pasiguri në vetvete. Gjendja e krijuar te ky person, e bën më të ndrydhur ndaj realitetit dhe në përballjen e problemeve. Nuk ka një ndarje të përcaktuar se cilat mosha janë më të prira që të flenë gjumë shumë apo që të flenë më pak. Psikologët theksojnë se këta persona kanë më tepër nevojë për afrimitet dhe ngrohtësinë e njerëzve të afërt apo të shoqërisë.

Të qenit aktiv në jetën e përditshme do të shmangte së tepërmi këto pasoja negative që shfaqen te njerëzit. Pasojat janë edhe në pamjen fizike të tij. Ky person ka një fytyrë të fryrë nga gjumi i tepërt apo nga pagjumësia. Ndërkohë që u krijohen rrudha te sytë, të cilat tregojnë një fytyrë aspak të këndshme.

Pagjumësia nuk ka moshë

Nuk ka ndonjë moshë të caktuar, ku mund të vihet re pagjumësia. Pasi, nuk varet nga mosha, por varet nga gjendja shpirtërore e njeriut. Prandaj, një person që nuk fle nuk do të thotë se duhet t’i përkasë moshës së tretë të mesme apo moshës së parë. Ai mund të jetë i çfarëdolloj moshe.

Gjumi i pakët
Edhe gjumi i pakët nuk është i këshillueshëm nga mjekët apo psikologët. Pasi ky gjumë i nervozon personat, që bëjnë më pak orë gjumë se orari përcaktuar. Kështu që do të ishte mirë, që njerëzit të ruanin një stabilitet me gjumin. Ndërkohë që gjithçka varet nga përballja që ka ai me realitetin dhe se sa i aftë është ai të kapërcejë një moment krize në vetvete.

Më e pagjumë, mosha e tretë
Moshën më të pagjumë mund të klasifikojmë moshën e tretë, ose pleqtë. Ata flenë shumë pak orë në ditë. Psikologët theksojnë se dhe ata kanë një ankth në vetvete. Por mosha e tretë nuk mund të përkufizojë pagjumësinë në tërësi, sepse dihet që me pleqërinë vjen dhe lodhja fizike. Mosha e mesme, preket nga probleme të ndryshme që mund t’u ndodhin gjatë ditës. Më pas kjo transmetohet në mënyra të ndryshme nga ata. Ndërsa të vegjlit nuk njohin pagjumësi dhe flenë nga 12 deri në 14 orë në ditë.

Pagjumësia
Pagjumësia dhe gjumi i tepërt u japin njerëzve stres dhe nervozizëm gjatë gjithë ditës. Ata mund të ndihen të lodhur dhe të drobitur, njëkohësisht ndihen dhe të vetmuar. Këta persona e kanë të vështirë përballjen e jetës dhe surprizave të pakëndshme që ajo ofron. Afrimiteti me personat e afërt do të ishte një kurë e mirë për ta.

Gjumi ndihmon kujtesën
Çdo njeri fle mesatarisht 6 orë në natë dhe studim i ri vë në dukje se gjumi mund të jetë kyç për përmirësimin e kujtesës.
 

Humbja e peshës ndihmon në kujtesë

     
Personat të cilët i nënshtrohen ndërhyrjes kirurgjike për uljen e peshës trupore, disa muaj pas operacionit kanë rezultate më të mira në testet e aftësisë së të mbajturit mend dhe përqendrimit.

Shkencëtarët amerikanë nga Universiteti Shtetëror Kent kanë testuar 150 participantë, pak kohë para operimit, si edhe tre muaj më pas.

Para operacionit rezultatet ishin nën vlerën mesatare në raport me pjesën tjetër të popullatës, ndërsa pas largimit të kilogramëve- (pas operacionit, pjesëmarrësit në studim kishin mesatarisht nga 20 kilogramë më pak të peshës trupore)- kujtesa ishte normalizuar.

Ndërkohë, grupi i kontrollit ku ishin përfshirë personat me mbipeshë, të cilët nuk i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjike, jo vetëm se nuk kishin pasur përmirësim, porse atyre edhe më shumë iu ishte dobësuar kujtesa.

Edhe studimet e mëparshme kanë treguar lidhshmëri në mes të mbipeshës dhe rrezikut më të lartë të shfaqjes së demencës.



FRUTHI, diagnoza dhe masat parandaluese

     
Fruthi ose morbilli, e njohur edhe si e “keqja e vogёl”, ёshtё sёmundje ngjitёse virale, qё klinikisht pёrcillet me temeraturё tё lartё, me shenja tё shprehura katarrale dhe paraqitjen e ekzantemës nёpёr lёkurё dhe enantemёs nё mukoza.

 

dr.Izet Sadiku, mr.sci,
infektolog

Fruthi zakonisht atakon moshat fёminore, por mund tё paraqitet edhe te tё rriturit. Fruthi pёrhapet pёrmes spërklave tё ajrit dhe para përdorimit tё vaksinës, sёmundja ёshtё paraqitur nё formë epidemike çdo 2-5 vite. Pas aplikimit tё vaksinёs, incidenca e kёsaj sёmundje ёshtё zvogëluar, por herё pas here paraqiten epidemi nё popullatën joimune. Nё vendet e pazhvilluara fruthi ёshtё njёri nga problemet kryesore shёndetёsore pёr moshat e fёmijёve, ku pёr shkak tё komplikacioneve nё sistemin nervor qendror dhe sistemin respirator, vdekshmëria arrin deri nё 20%.

Kush e shkakton fruthin?
Virusi i fruthit bënё pjesё nё grupin e paramixovirusve, ka madhёsi 120-150nm.

Si pёrhapet?
Fruthi ёshtё sёmundje vetёm e njerëzve. Burim i nfeksionit ёshtё njeriu i sёmurё, i cili e mban virusin nё mukozёn e rrugёve tё frymarrjes, ndёrsa infekcioziteti mё i madh ёshtё nё javёn e parё, nё stadin katarral tё sёmundjes. Nё stadin e ekzantemës, infekcioziteti ёshtё i vogёl pёr shkak tё sasisё sё vogёl tё virusit nё rrugёt respiratore. Dy ditё pas paraqitjes sё ekzantemës, i sёmuri nuk ёshtё mё infekcioz. Pёrhapja e virusit bёhet pёrmes rrugёs frymarrjes dhe konjuktivёs, pёrmes spërklave tё ajrit nё kontakt tё drejtpërdrejt me tё sёmurin. Pasi qё virusi i morbillit ёshtё shumё i ndieshёm nё ambientin e jashtёm ku qёndron vetёm 10 minuta, pёrhapja e sёmundjes nga personi i tretё (mёnyra indirekte) bёhet nё raste tё rralla nё çerdhe dhe institucione ku ka shumё persona. Kёshtu qё, gjatё kohёs sё paraqitjes sё sёmundjes duhet qё dhoma e tё sёmurit tё ajroset sa mё shumё.
Sёmundja mё shumё pёrhapet nё qytete ku ka karakter endemik pёr shkak tё kontakteve mё tё shpeshta nё mes njerёzve dha paraqitet nё sezonin dimёr- pranverё. Tё porsalindurit deri nё moshёn 6 mujore, nuk sëmuren nga fruthi nё qoftё se nёna e fёmiut e ka kaluar sёmundjen ose ёshtё vaksinuar, sepse antitrupat barten nё formё pasive me rrugё transplacentare nga nёna te fryti. Nёse nёna nuk ёshtё imune mund tё sëmuren nga fruthi edhe tё porsalindurit.

Nё Kosovё vaksinimi i obliguar kundёr fruthit ka filluar nё vitin 1971, i cili e ka përmirësuar shumё gjendjen epidemike me kёtё sëmundje, por pёrkundёr kёsaj, Kosova, ka pasur njё shkallё mё tё lartё tё vdekshmёrisё nga kjo sёmundje nё krahasim me vendet e rajonit.

Cila ёshtё pasqyra klinike?
Inkubacioni (periudha prej momentit tё infektimit deri te paraqitja e shenjave tё sëmundjes) fruthit, zgjat 10-12 ditё dhe nё kёtё fazё nuk ka shenja tё sёmundjes.
Pastaj fillon paraqitja e shenjave tё sёmundjes e cila kalon nёpёr dy stade:

1. Stadi kataral i cili shoqёrohet me temperature tё lartё, ngjizje tё zёrit dhe kollё, skuqje tё konjunktivave sё syrit. Nё zgavrёn e gojёs nё nivel tё dhёmbёve tё poshtёm molar paraqiten njollat e Koplikut qё kanё ngjyrё tё bardhё nё tё pёrhimët me skuqje rreth tyre me madhёsi rreth 1 mm e qё paraqesin shenjёn e sigurt tё fruthit.
Ky stad zgjat 3-4 ditё dhe e dallon fruthin nga sëmundjet tjera ekzentematike si, Rubeola dhe Varicela, tё cilat kanё stad katarral mё tё shkurtёr dhe jo shumё karakteristik .

2. Stadi egzantematik fillon nё kohёn kur temperatura ёshtё 39-40°C, me paraqitjen e ekzantemës makulopapuloze, qё fillon sё pari pas veshёve, nё fytyrё, kokё (pjesёn me qime), pastaj përfshin qafen, kraharorin dhe tё gjitha pjesёt e lёkurёs pa i kursyer as shuplakat dhe shputat.
Ky stad zgjat 2-3 ditё dhe kur ekzantema paraqitet nё tёrё lёkurёn temperatura, fillon tё ulet. Pas 3-4 ditёve, ekzantema fillon tё tёrhiqet sipas rendit qё ёshtё paraqitur nga poshtё-lartё.
Pas kёsaj fillon edhe stadi i rekovaleshencёs (përmirësimit) nё tё cilёn pacienti fillon tё përmirësohet, tё kthehet nё normalitet, temperatura bie nё normale, ekzantema tёrhiqet dhe kemi njё qërim tё lehtё tё lёkurёs nё trup, por jo nё shuplaka dhe duar, qё e dallon fruthin nga skarlatina, si dhe fillon tё kthehet oreksi.
Nёse i sёmuri vazhdon ende me shenja tё sёmundjes si temperaturë, kollitje, atёherё flasim pёr komplikimet e fruthit tё cilat janё: pezmatimet e veshit, mushkërive, trurit (encefaliti) dhe një komplikim shumё i rallё 1:1 000 000 raste tё tё sёmurёve, ёshtё encefaliti subakut sklerotizant, i cili zakonisht përfundon me vdekje 6-9 muaj pas lajmërimit tё sëmundjes.

Si bёhet diagnoza e sëmundjes?
Diagnoza e fruthit bazohet nё pasqyrën klinike, analizat laboratorike dhe nё testet serogjike. Shpesh sëmundja diagnostikohet nё bazё tё pasyrёs klinike e cila ёshtё shumё karakteristike pёr fruthin, si ekspozimi ndaj fruthit, simptomat katarale (kollitje, skuqje e konjunktivave, njolla e Koplikut) qё zgjasin 3-4 ditё, paraqitja e ekzantemës makulopapoloze me pёrhapje kranialokaudale (nga lart e poshtё trupit), janё shenja tё sigurta pёr sёmundjen e fruthit.
Nga ekzaminimet laboratorike duhet pёrmendur se zakonisht kemi leukopeni (zvogëlim i rruazave tё bardha tё gjakut).
Diagnoza serologike bёhet me testin Eliza, pastaj reaksionin e inhibimit tё hemaglutinimit, por mund tё bёhet edhe me testin e neutralizimit.

Si bёhet mjekimi?
Mjekimi i sёmundjes kёrkon pёrdorimin e masave higjeniko-sanitare dhe mjekimi simtomatik. Pacientёt duhet tё qёndrojnё nё dhoma tё veçanta nё qetësi dhe dhoma duhet tё ajroset sa mё shumё. Fёmijёt nuk duhet tё shkojnё nё shkollё ose nё çerdhe.
Mjekimi me barna ёshtё simptomatik, pёrdoren barna kundёr temperaturës, kundёr kollitjes, vitamina dhe lёngje.
Nё rast tё paraqitjes sё komplikimeve si pezmatimi i veshit ose i mushkёrive, mund tё pёrdoren edhe antibiotikë.

Cilat janё masat parandaluese?
Pёrdoren masat aktive dhe pasive tё mbrojtjes.
Mbrojta pasive bёhet me aplikimin e gamaglobulinёs hiperimune humane, e cila deri nё moshёn tre vjeçare jepet nё dozё 3-5 ml me rrugё intramuskulare. Nёse jepet mbrojtja pasive deri nё ditёn e tretё pas ekpozimit ndaj sëmundjes, pengohet paraqitja klinike e sёmundjes, e nёse jepet nё ditёn 4-6, paraqitet fruthi me dekurs shumё tё lehtё.
Dhёnia e gamaglobulinёs bёhet vetёm nё rast tё epidemisё te fёmijёt kahetik (tё dobёt fizikisht), te ndonjё sёmundje qё nuk mund tё aplikohet vaksina.
Mbrojtja aktive kundёr fruthit bёhet me vaksinё tё cilёs i nёnshtrohen tё gjithё fёmijёt posa tё kenё mbushur 12 muaj, konkretisht tё gjithё personat prej moshёs 1-14 vjeçare e tё cilёt nuk e kanё kaluar sёmundjen.
Vaksinimi kundёr fruthit bёhet me njё dozё prej 0.5 ml tё vaksinёs sё dobёsuar e cila jepet me rrugё subkutane (nёnlёkurё) nё pjesёn e pasme tё krahut. Vaksina mund tё jepet zakonisht si vaksinё e kombinuar fruth+parotid + rubeolё.
Rivaksinimi i fёmijёve bёhet para moshës shkollore.
Pas infeksionit nga kjo sёmundje mbetet imunitet i pёrjetshёm.

Çfarë ndihmon vaji i hudhrës?

     
Vaji i hudhrës është i domosdoshëm të kombinohet me vajin e peshkut sepse bën përshtatjen e natyrshme të vajit të peshkut në shëndetin e çdo personi.

Vaji i hudhrës ndihmon në mbajtjen larg të arteriosklerozës dhe sëmundjeve të tjera kardiovaskulare. Ai mbron enët e gjakut dhe zemrën, kontribuon në tensionin normal të gjakut, duke e mbajtur atë në kufirin e normales, normalizon kufirin e kolesterolit në gjak, mbron muret e enëve të gjakut, pengon formimin e topthave të gjakut dhe gëlqerimin e enëve të gjakut, nxit dhe e rrit qarkullimin e gjakut në organizëm.

Vaji i hudhrës është antibakterologjik, ai përdoret kundër herpesve në zorrë, kundër parazitëve, zhduk parazitët në zorrë si tenia, oksiuret dhe askaridet. Ai forcon tretjen dhe përtërin florën e zorrëve.

Vaji i hudhrës ndihmon ngërçet e stomakut, nxit oksigjen në organizëm, ndihmon punën e mëlçisë dhe organeve endokrine, rrit imunitetin e organizmit dhe është shumë i preferueshëm që të merret gjatë stinës së dimrit.

Vaji i hudhrës këshillohet të merret në masë mbi moshën 50 vjeç, sepse kontribuon në mbajtjen e vitalitetit dhe shëndetit në përgjithësi të organizmit. Personat diabetikë duhet ta përdorin patjetër këtë vaj, sepse ndihmon shumë deri te diabeti i tipit 2.

Hudhra në formën e vajit ose pluhurit ka një lloj mbështjellëse të veçantë që i reziston lëngut të stomakut. Kjo mbështjellëse shkrihet vetëm në zorrën e hollë, e cila më vonë e absorbon dhe ndikon në pengimin e erës jo të këndshme gjatë frymëmarrjes dhe djersitjes.

 

 

Dhembjet e shpinës

     
Deri 80% e njerëzve së paku njëherë në jetë kanë dhembje shpine, ndërsa te 14% e njerëzve dhembja iu zgjat më shumë se 2 javë. Këto dhembje janë shkak shumë i shpeshtë i trajtimit mjekësor dhe mungesës në punë.

 


Dhembjet lajmërohet te të rinjtë, por, te më të vjetrit; dhembja është më intensive. Shkaktarët më të shpeshtë janë ngritjet e peshave dhe pozitat jo të përshtatshme në vendin e punës. Meqë kjo sëmundje prek shumë njerëz, në tregun mjekësor dhe farmaceutik ka shumë preparate dhe metoda shëruese të ndryshme, për çdo rast kërkohet trajtim i veçantë. Te disa përdoren pushimi dhe regjim shtrati, te disa trakcioni, te të tjerët terapia me nxehtësi apo masazhi, por përdoren edhe gel dhe kremra të ndryshëm. Duhet ditur se 90% të rasteve dhembjet e shpinës kalojnë vetvetiu pas 4 javësh, e vetëm 5% e rasteve kanë dhembje me shumë se 3 muaj.

Shkaqet

Dhembjet e shpinës mund të kenë shkaktarë që u përkasin dy kategorive: Sëmundjet e sistemit muskulo-skeletor dhe sëmundjet e boshtit kurrizor.

Në kategorinë e parë bëjnë pjesë dhembjet e shkaktuar nga lëndimet e muskujve, ligamenteve apo nyjeve te shpinës. Dhembjet nga kjo kategori i shton edhe pozita jo e mirë e qëndrimit, muskulatura dobët e zhvilluar, mosfurnizimi i mirë i kësaj pjese me oksigjen si pasojë e pirjes së duhanit, e stresit.

Dhembjet muskulo-skeletore nuk kanë lokalizim të qartë dhe janë të shprehura me shtangim dhe kufizim të lëvizjeve. Shpesh këto dhembje dinë të shtohen gjatë qëndrimit ulur dhe aktiviteteve sforcuese.

Dhembjet e këmbëve dhe mpirjet zakonisht në popull njihen si “ishias”. Këto simptoma lajmërohen për shkak të shtangimit muskulor, inflamimit të mbështjellësve të nyjeve (bursitis). Kështu që, shpesh, dhembjet e shkaktuara nga sëmundjet muskulo-skeletore dhe hernive diskale kanë ngjashmëri simptomatike.

Sëmundjet e boshtit kurrizor - kemi disa çrregullime spinale që mund të shkaktojnë dhembje të shpinës dhe këmbëve si psh: hernia diskale, spondilolisteza, stenoza spinale, kemi edhe gjendje më të rralla, siç janë, infeksionet, tumoret, spina bifida apo frakturat. Këto sëmundje janë më të rralla se ato muskulo-skeletore.

Spondilolisteza (spondylolisthesis) ndodh kur një unazë rrëshqet përpara nga vendi i vet. Kjo ndodh si pasojë e dëmtimeve të vogla të shumta nga lëndimet. Kjo gjendje diagnostikohet me një rëntgen të thjeshtë.

Një prej shkaktarëve të shpeshtë të dhembjeve të shpinës është hernia diskale. Po çka është hernia diskale? Hernite diskale lumbale më së shumti ndodhin në nivelet L4/L5 dhe L5/S1 për shkak se këto dy nivele janë vendet ku disku i nënshtrohet presionit për shkak të lëvizshmërisë të boshtit kurrizor.

Simptomat më të shpeshta të hernies diskale lumbale mund të jenë dhembja përgjatë këmbës si dhe humbje të ndjeshmërisë përgjatë këmbës; varësisht prej nivelit ku ka ndodhë hernia vjen deri te ndryshimi senzitiv i zonës nga nervi i komprimuar. Po ashtu, ndrydhja e rrënjës nervore mund të shkaktoj rënie të forcës muskulore duke shkaktuar edhe dobësim të forcës muskulore të shputës dhe tërë këmbës.

Si dhe pse ndodh kjo herni e diskut?
Secila unazë është lidhur me njëra-tjetrën me diskun ndërunazor. Disku intervertebral është një pllakë kërcore e cila anash ka ligamentet të cilat e mbajnë diskun mes unazave. Roli i diskut është t’i mundësoj boshtit kurrizor të njeriut lëvizje në gjitha drejtimet. Si pasojë lëvizjeve të ndryshme që bën njeriu gjatë punës dhe aktiviteteve të veta jetësore, vjen deri te degjenerimi i diskut duke kaluar nga një masë e butë në një masë më të fortë.

Po ashtu, si pasojë e këtyre degjenerimeve, por edhe e ndonjë ngritjeje peshe apo ndonjë lëndimi, vie deri te rrëshqitja e diskut që në gjuhën mjekësore quhet herni diskale. Disku i hernizuar lëviz në drejtim të strukturave nervore përreth ku mund të bëj dëmtim direkt apo indirekt të elementeve nervore apo edhe palcës kurrizore .

Shkalla e dëmtimit të shkaktuar nga disku varet nga niveli i unazës, por edhe nga drejtimi i daljes së diskut. Ky disk ndonjëherë shkon në drejtim lateral ku gjenden rrënjët nervore duke shkaktuar dhembje të fortë të mesit dhe këmbeve. Kur disku del në drejtim medial kah palca kurrizore, atëherë përveç dhembjeve, mund të shkaktoj edhe çrregullime të ndjeshmërisë dhe të sfinktereve. Në këtë rast pacienti ka pengesa në urinim dhe kjo quhet Sindroma e kaudes ekuine. Në këto raste indikacioni për intervenim kirurgjik është urgjent.

Stenoza spinale lumbare paraqitet kur kemi të bëjmë me ngushtim të kanalit spinal në mes të unazave. Ky ngushtim vie për shkak të inflamimeve të disqeve ndërunazore dhe paraqitet më shpesh te pleqtë. Këto dhembje paraqiten në këmbë dhe shoqërohen me mpirje dhe dobësim të forcës muskulore. Më intensive këto dhembje janë gjatë ecjes dhe qëndrimit ulur. Kjo gjendje shpesh quhet edhe si klaudikacion neurogjen.

Diagnoza
Shesh herë është vështirë për të gjetur shkakun e vërtetë të këtyre dhembjeve. Meqenëse shumë dhembje kalojnë vetvetiu, nuk kërkohet mjekim nga ana mjekut. Kur këto dhembje janë të stërzgjatura dhe nuk kalojnë as me përdorimin e barnave, atëherë rekomandohet evaluimi i mëtutjeshëm.

Dhembja e tejzgjatur mund të jetë edhe pasojë e tretmanit joadekuat, depresioni, somatizimit- kalimi i vuajtjeve shpirtërore në shenja fizike. Shpesh pacientët ankohen edhe për të përfituar materialisht apo për pushime mjekësore apo sigurim invalidor. Kur ndrydhja e rrënjës nervore shkakton rënie të forcës muskulore dhe dobësim të forcës muskulore të shputës dhe tërë këmbës, atëherë kërkohet evaluim më i kujdesshëm.

Kur disku prekë strukturat e palcës kurrizore, mund të dëmtojë inervimin simpatik duke shkaktuar çrregullim të urinimit dhe defekimit. Poashtu, mund të paraqiten çrregullime të ereksionit dhe ejakulimit. Kjo gjendje njihet si sindromë e bishtit të kalit - sindroma kauda equina dhe kërkon intervenim urgjent kirurgjik.

Shërimi

Trajtimi mjekësor kërkohet vetëm kur kemi të bëjmë me një dëmtim serioz sepse shumë simptome kalojnë edhe vetvetiu. Është mirë të gjendet një pozitë e përshtatshme ashtu që ua liron dhembjet. Dikujt i konvenon qëndrimi në shpinë, dikujt anash.

Nëse në vendin e punës nuk ka mundësi që kurrizi të gjej qetësi për shkak të pozitave jo të përshtatshme, atëherë rekomandohet pushimi në shtëpi derisa të qetësohen dhembjet duhet ikur ngritjeve të peshave, lëvizjet e papritura dhe pozitat e papërshtatshme.

Nëse ka nevojë mund të përdoren edhe barna kundër dhembjeve të cilat janë të shumta në treg. Zakonisht rekomandohet analgjetiket antiiflamator josteroid që përveç efektit kundër dhembjes kanë edhe efekt të qetësimit të pezmatimit. Barnat për relaksimin e muskujve preferohen vetëm për një javë dhe shkojnë bashkë me analgjetikët.

Në ditët e para rekomandohet mbajtja e leckave të ftohta apo akullit në kohëzgjatje prej 15 minuta çdo 1-2 orë. Qëndrimi në shtrat më shumë se tre ditë nuk sjell dobi përveç në raste kur kemi të bëjmë me herni diskale të rëndë. Lëvizja në fillim është e vështirë, por është më se e nevojshme. Lëvizja ndihmon në shtendosjen e muskujve dhe forcimin e muskulaturës.

Edhe nëse u është rekomanduar qëndrimi i shtrirë gradualisht mund ta shtoni aktivitetin me kusht që nëse shtohen dhembjet të pushoni edhe më shumë. Duhet ikur qëndrimit ulur. Ndërsa, pas një jave preferohet ecje 20 min. çdo 3 orë qëndrimi shtrirë.

Ushtrimet rekomandohen për pacientët që nuk kanë dhembje akute dhe këto ushtrime duhet bërë në konsultim me specialistin e fiziatrisë. Për dhembjet e lehta preferohen të gjitha aktivitetet si ecje, not, aerobi e intensitetit të ulët.

Për dhembjet e intensitetit të ulët por të stërzgjatura rekomandohen masazhet e ndryshme, në shumë vende aplikohet edhe akupunktura - terapi kineze me gjilpëra të vogla. Ka pacientë që flasin për dobi nga ajo, por veprimi i saj nuk ka një bazë shkencore mirë të vërtetuar. Edhe nëse nuk sjell ndonjë dobi të madhe, akupunktura së paku nuk dëmton diku tjetër, përveç xhepin e pacientit.

Nëse dhembja nuk kalon?

Nëse dhembjet nuk qetësohen as me përdorimin e analgjetikëve, atëherë duhet drejtuar mjekut të specializuar për këtë. Kur vërtetohet se kemi të bëjmë me herni diskale, atëherë shërimi dhe rehabilitimi i pacientit është proces i ndërlikuar. Qëllimet e trajtimit janë zvogëlimi i dhembjeve dhe parandalimi i pasojave neurologjike.

Pas fillimit të dhembjeve rekomandohet regjim shtrati dhe fillimi i terapisë medikamentoze kundër dhembjes. Terapia fizikale në fazën akute nuk sjell beneficione. Ndërsa në fazat e qetësimit të dhembjeve akute rehabilitimi fizikal e ka rëndësinë e saj dobiprurëse.

Shpeshtësia e dhembjeve të shpinës ka bërë që të rritet edhe interesi për aplikimin e mjekësisë alternative ku shpesh përmendet edhe kiropraktika. Dobitë potenciale nga manipulimet me duar janë më shumë si pasojë shtypjes në pjesë e muskujve. Studimet kanë treguar se këto manipulime sjellin dobi vetëm të përkohshme për pacientin dhe kanë një kosto të lartë. Këto përmirësime janë edhe si pasojë e qëndrimit dhe kujdesit më të gjatë për pacientin, pra një efekt, placebo. Poashtu, është e ditur se këto manipulime janë të dëmshme për rastet me simptoma të ishiasit, sepse mund të shkaktojnë dëmtime të mëtutjeshme të diskut dhe të nervave. Ka pas raste kur kanë shkaktuar lëndim edhe të enëve të gjakut dhe fraktura, por edhe dëmtime të rënda të qafës dhe trurit. Kur kësaj i shtohen edhe aplikimi i kësaj praktike të ngjeshjes nga njerëz joprofesionist, atëherë rreziku është edhe më i madh.

Përveç trajtimit medikamentoz dhe fizikal, në shumicën e rasteve kur kemi tumore apo hernia diskale të vërtetuar me CT apo rezonancë magnetike e cila përputhet me gjendjen e pacientit, atëherë mënyra më e sigurt e trajtimit është kirurgjike.

Kur kemi të bëjmë me herni diskale e cila ka migruar medialisht, duke shkaktuar çrregullime sfinkteriale, të ashtuquajturën sindromën e kaudes ekuine, atëherë indikacioni për intervenim kirurgjik është edhe më urgjent, sepse çdo vonesë mund të lë çrregullim të pakthyeshëm në urinim apo defekim. Qëllimi i intervenimit është largimi i diskut të prolabuar dhe lirimi i rrënjës nervore apo palcës nga dëmtimi komprimues. Të 5-10%, në studimet mbarëbotërore mund të vie deri te përsëritja e hernies në të njëjtin nivel apo nivele tjera vertebrale

Si të pengohen përsëritja e dhembjeve të shpinës

Është e rëndësishme mbajtja e kondicionit të mirë të muskujve me aktivitete të rregullta fizike dhe ushtrime. Duhet ikur pozitave të papëlqyeshme për kurrizin, siç janë përkuljet apo ngritjet e peshave.

Me programin e ushtrimeve duhet filluar para se të fillojnë dhembjet e forta. Shpesh këto dhembje janë pasoje e punës dhe këtu ka rol edhe stresi në punë dhe depresioni. Ecja e drejtë dhe ulja në ulëse më të përshtatshme në vendin e punës mund të sjellë përmirësime edhe në dhembjet e shpinës.

Mbajtja e peshës normale të trupit e shoqëruar me ecje të përditshme dhe aktivitete të lehta sportive janë parandalimi më mirë.

 

www.eja1.tk

Ndryshimet klimaterike nxisin dhimbjen e kokës

Ndryshimi i menjëhershëm i veçorive klimaterike si presioni, temperatura, lagështira dhe era, mund të bëhet shkak për fillimin e dhimbjes së kokës.

Kushtet klimaterike janë një nga faktorët nxitës të dhimbjes së kokës dhe migrenës. Specialistët pohojnë se edhe stresi bën pjesë në grupin e faktorëve nxitës të migrenës. Uljet e menjëhershme të presionit atmosferik, shtimi i reve, rritja e lagështirës dhe era e fortë përkeqësojnë dhe më shumë dhimbjen dhe nxisin krizat e migrenës më shumë se ndryshimet e tjera klimaterike. Në të kundërt të këtyre kushteve një, presion i lartë atmosferik, ajri i thatë dhe koha me diell mund të qetësojnë dhimbjen e kokës.

Specialistët pohojnë se në mes të kockave gjenden hapësira ajri të quajtura “sinuse” dhe në rastin e uljes së presionit barometrik, ajri në mes të sinuseve zgjerohet dhe në kanalet e vogla të hapura në hapësirën e hundës çlirohen më shumë sekrecione. Nëse kanalet janë të zëna për shkak të gripit apo ftohjes presioni brenda sinusit shton presionin duke shkaktuar dhimbje të forta koke ose migrenën.

Krahas kësaj specialistët janë të mendimit se edhe era e specifikuar si “era e sëmundjeve” mund të ndikojë në fillimin e dhimbjes së kokës dhe migrenës. Era e fortë, e cila tund dhe dritaret mund të zgjojë sistemin nervor. Erërat e thata, të ngrohta dhe ato të shkretëtirës thajnë sipërfaqet e thata dhe zgjojnë rrugët e frymëmarrjes. Në këtë mënyrë mund të nxisë dhimbjen e kokës dhe migrenës
 
 
 
 
 

 

 


 
 
 


 
   
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free